Krimi në Greqi/ Babai i Marias tregon si e mësoi lajmin për vrasjen e vajzës: U preva kur erdhi goca nga Durrësi

04/03/2022 13:09

Naim Dosku, babai i Maria Doskut që u vra në Greqi së bashku me bashkëshortin Armando dhe dy fëmijët, 1 dhe 2 vjeç ka folur për “Shqipëria Live” duke treguar se lajmin tragjik e ka mësuar përmes mediave.

Naimi u shpreh se e kuptoi që kishte ndodhur diçka e rëndë kur kishte shkuar vajza nga Durrësi në shtëpinë e prindërve për t’i treguar për krimin makabër.

Sa i përket pistës së dyshuar për vrasjen e katër anëtarëve të familjes nga ish bashkëshorti grek i Marias, i ati tha se janë ndarë në mënyrë paqësore. Ndërsa për banesën ku jetonte dhe u gjetën të vrarë, Naim Dosku tregoi se do ta lironin në fund të muajit sepse mbaronte kontrata, por ditët e fundit ishin ankuar për energjinë elektrike.

Kjo lidhet edhe me detajin që u raportua nga Top Channel ditën e djeshme pasi thuhej se pronari i banesës, i cili është autori i dyshuar, kishte prerë dritat para se të kryente krimin.

“Nuk më dilnin në telefon, as ai, as Maria. Nga ora 6 vjen goca nga Durrësi, thashë po ju, atëherë u preva, nuk e dija se çfarë thoja më. I thoja nuk ka gjë, Armando është në spital. Maria kishte 3 fëmijë, 2 me lushnjarin, një me grekun. Është martuar.

Me grekun janë ndarë në mënyrë paqësore, vjen e rri me çunin, sjell shpërblimet e veta. Me Armandon kishte 3 vite. Para nja 4-5 ditëve, dritat ishin shumë të dobëta dhe nuk kishin stabilitet të punonte televizori e lavatriçja. Banesën do e lironte në fund të këtij muaji se kështu e kishte kontratën. Në atë shtëpi kanë ndejtur 2 vite, Maria merrej me fëmijët, Armando ka pasur punë se i njihnin të gjithë”, tha Naim Dosku.

I pyetur nëse do të presë trupat e viktimave për të bërë ceremoninë mortore në Shqipëri, ai tha: “Unë do i lutesha atyre njerëzve që janë me shpirtin tim, janë 4 xhenaze dhe unë nuk i përballoj dot me një kemp.” Fundjavë ndryshe ka marrë përsipër shpenzimet për të sjellë trupat në Shqipëri.

Kujtojmë se autori tentoi t’i zhdukë trupat duke tentuar ti ngarkojë në një rimorkio, por duket se nuk arriti ta realizojë synimin e tij pasi në banesë ka mbërritur djali 11 vjeçar i Marias, i cili ka gjetur trupat e masakruar dhe ka rendur për ndihmë në kishën aty pranë.

Jashtë kamerave fqinjët thonë se ai ka probleme të çrregullimit mendor.

Në të kaluarën ai është mbajtur për pak kohë në një spital psikiatrik, dhe pasi ka dalë ka vazhduar aktet mizore duke keqtrajtuar dy ish gratë e tij, fqinjët, e madje edhe kafshët shtëpiake të banorëve  të tjerë.

Fëmija 11 vjeçar që mundi t’i shpëtojë masakrës do t’i dorëzohet babait të tij i cili ka mbërritur nga Athina për ta marrë

Top Channel