“U kërkoj falje familjarëve”/ Gjykata lë në burg Arbër Sulën që vrau Jurgën Dukën për radhën në market

03/03/2022 12:54

Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë ka vendosur si masë sigurimi “Arrest me burg” për Arbër Sulën, ish-agjentin e krimeve me Detyrë në Dibër, i cili qëlloi me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin Jurgen Duka.

Gazetarja Anila Hoxha ka mësuar se në ambientet e brendshme të Gjykatës, Sula u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës.

Ju kërkoj ndjesë familjarëve, më kërcënuan dhe në atë moment isha në gjende të rënduar psikologjike”, mësohet të ketë thënë Arbër Sula.

Sula akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”, i cili u dorëzua vetë para dy ditësh në komisariat, pas bisedimeve të vazhdueshme me policinë dhe familjarët.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas dosjes së Gjykatës, e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nga hetimi rezulton se në 20 minutat e para të 14 dhjetorit të vitit të kaluar, në “Market Juli”, në rrugën “Irfan Tomini”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Jurgen Duka (Meziri), me banim në zonën e Kamzës në Tiranë.

“Viktima ka hyrë në market i shoqëruar nga Orgest Drazhi, i cili së bashku me Dukën kanë qenë për darkë në një restorant në zonën e quajtur “Fresku” dhe më pas janë nisur për të shkuar në banesën e këtij të fundit. Gjatë rrugës, janë ndalur tek marketi, dhe duke qene në gjendje të pirë, kanë debatuar me një klient. Në zënie e sipër, klienti ka qëlluar në drejtim të viktimës me armë zjarri, tip pistoletë dhe është larguar menjëherë pas ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë dhe një predhë si dhe një pasaportë me emër të shtetasit Jurgen Duka. Nga pamjet filmike të sekuestruara nga marketi, rezulton se autori i vrasjes është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Mercedez Benz” me ngjyrë të zezë. Gjatë kontrollit të bërë të viktimës në ambientet e spitalit të traumës në Tiranë, misid të tjerash i është gjetur edhe një sasi prej 2.8gr lëndë e dyshuar si narkotike“, citohet nga dosja.

Në dosjen hetimore thuhet se edhe i dyshuari Orgest Drazhi i cili shoqëronte viktimën, menjëherë pas vrasjes është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk ka njoftuar organet hetimore. Pasi është bërë identifikimi i këtij shtetasi, është shkuar në banesën e tij në fshatin Domje, ku dh është arrestuar.

Nga këqyrja e pamjeve filmike është bërë i mundur edhe identifikimi i fotografisë së autorit të vrasjes. Nga ana e organeve policore konfirmohet se personi është Arbër Sula, i datëlindjes 10.11.1994, me detyrë ndihmës specialist në sektorin e shërbimeve policore në Drejtorinë Vendore të policisë në Dibër.  Vepra e kryer nga i dyshuari parashikohet nga neni 76 i K.Penal dhe parashikon një dënim maksimum deri në 20 vjet burgim.

Top Channel