“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes një tjetër skandal në lidhje me klinikën estetike “Dermolife”.

Pas transmetimit të abuzimit që kjo klinikë bënte me klientët me analizat e gjakut, të cilat përfundonin në koshin e mbeturinave, të tjera denoncime kanë mbërritur në redaksinë e “Fiks Fare”. Raste që shumë nga këta pacientë kanë rrezikuar me jetën e tyre.

Rasti i sotëm që u trajtua në “Fiks Fare” kishte lidhje më një zonjë, e cila kishte vënë në klinikën “Dermolife” balonin gastrik.

Vera Gjuzi tregoi se baloni gastrik që vendosi në këtë klinikë për 2 500 euro i doli nga goja i plasur. Ajo tregon gjithë procedurën nga bërja e analizave (të cilat Fiksi tre ditë më parë dokumentoi se bëheshin fiktive) deri tek vendosja e balonit. Pas ndërhyrjes, Vera ka pasur shqetësime të mëdha dhe menjëherë i  është drejtuar klinikës ku bëri dhe ndërhyrjen, por ajo pohon se e përcollën fare lehtë duke i thënë se shqetësimet që ajo kishte ishin mëse normale. “Në momentin që u riktheva në shtëpi nga klinika ku u tregova se nuk ndjehesha mirë, mua më del nga goja baloni i çarë“, tregon ajo.

Fatmirësisht llastiku prej të cilit përbëhet baloni që i doli nga goja nuk i kishte dhënë shqetësime të rënda, pasi siç shprehet edhe ajo vetë “mund edhe të isha mbytur”.  Menjëherë Vera pohon se ka kontaktuar mjeken e klinikës Dermolife e cila kishte kryer ndërhyrjen, ajo i kishte pohuar se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Por nuk ka qenë në të njëjtën linjë kur Vera ka shkuar në klinikë, pasi kësaj here i kishte pohuar të kundërtën “është normale”.

Në këto kushte e shqetësuar qytetarja ka kërkuar të marrë dosjen e saj klinike, por stafi i klinikës Dermolife i tregon formularin që ka firmosur para ndërhyrjes “duke më thënë kështu në mënyrë direkte që kam firmosur vdekjen time” shprehet Vera. Përsa i përket dosjes klinike atë nuk ia dhanë, mënyra e vetme për ta marrë është ajo ligjore.

Gjuzi thotë se s’ka mundësi të marrë avokat, pasi dhe 2 500 euro-shin i pagoi kot se nuk kishte asnjë rezultat. para të cilat nuk iu kthyen kurrë. “Dua ta bëj publik këtë gjë, që të mos gabojnë dhe ta pësojnë edhe të tjetër“, shprehet Gjuzi.

Ndërkohë në takimin që pati me doktoreshën, kjo e fundit i tha se na u drejto zyrtarisht dhe u largua pa e sqaruar qytetaren.

Pas denoncimit të analizave të gjakut fiktive dhe se mostra e marrë përfundonte në koshin e mbeturinave, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka vendosur gjobë për klinikën dhe ka bërë mbylljen e pjesshme të aktivitetit.

 

 

 

FOTO GALERI
1/10

Top Channel