Polici vrasës/ Vrau gjatë sherrit në supermarket. U dorëzua pas disa muajsh

03/03/2022 15:22

Arbër Sula, i cili ishte polic deri ditën kur shkrepi armën e shërbimit dhe vrau Jurgen Dukën, u përpoq të shmangte vështrimin e kujtdo duke fshehur fytyrën mes pëllëmbëve.

Megjithatë kur filmimi u ndërpre, 30- vjeçari i kërkoi ndjesë familjes së viktimës që e vrau në 14 dhjetor me frazën ” më kërcënuan dhe gjendja ime psikologjike ka qenë e rënduar gjatë gjithë kësaj kohe”.

Pasi dëgjoi palët gjykata i vendosi masën “arrest me burg” nën akuzën e vrasjes me dashje, në krye të 76 ditëve arrati gjatë të cilave ish polici nuk u gjet derisa u vetëdorëzua.

Për Prokurorinë çasti kur Jurgen Duka qëllohet nga Sula është i provuar nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitarët që tregojnë se si i ndjeri u konfliktua për radhën duke e kanosur klientin që doli se ishte polic.

Dëshmitari okular Orges Drazhi që ishte shok me viktimën konfirmoi itinerarin e fundit të të riut qe u vra në radhë.

“Ne u kthyem nga darka pranë zonës së Freskut”, kujton Orges Drazhi, “dhe u nisem për të shkuar në shtëpinë e Jurgenit, por përpara kësaj ndaluam në rrugën “ Irfan Tomini”, ku ai në gjendje të dehur u konfliktua me një person që kishte veshur xhup të zi, xhinse dhe mbante një çantë marsup” .

Jurgen Duka u qëllua me një plumb mesnatën e 14 dhjetorit dhe siç thotë policia ai u identifikua nga pasaporta që kishte në xhep.

Autori qëndroi në arrati deri në fillim të këtij muaji, për t’u dorëzuar në Komisariatin numër 2 së bashku me armën e shërbimit me të cilën ai qëlloi 29-vjeçarin.

Top Channel