Letra/ KQZ-ministrit Çuçi: Shikoni si mundësi që votuesve që u kanë skaduar dokumentet e identifikimit t’u quhen të vlefshme deri në zgjedhje

03/03/2022 14:27

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të enjte përmes një letre dërguar për Ministrinë e Brendshme i kërkon kësaj të fundit ta konsiderojë si mundësi, në përputhje me ligjin, që votuesve që u kanë skaduar dokumentet e identifikimit t’u quhen të vlefshme deri në zgjedhje.

Në letër, bëhet me dije se KQZ ka marrë shqetësimin nga disa subjekte zgjedhor pjesëmarrës në këto zgjedhje, mbi një numër relativisht jo të vogël të personave që u ka skaduar ose ju skadon vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit.

Nisur nga ky shqetësim, KQZ i kërkon Ministrisë së Brendshme se “në përputhje me të gjitha përcaktimet ligjore, ju lutem konsideroni mundësine e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit me afat të skaduar, tej datës 6 mars 2022”.

Sipas KQZ, duke filluar nga data e dekretimit të zgjedhjeve deri në datën e zhvillimit të tyre, objektivisht mund të mos ju ketë dhënë mundësinë këtyre shtetasve me dokumente identifikimi të skaduara t’i rinovojnë ato.

KQZ, thotë se në disa bashki ku do të zhvillohen këto zgjedhje përfshijnë zona të thella malore dhe si të tilla sjellin një dekurajim të votuesve potencial për të rinovuar dokumentet e identifikimit.

Më 6 mars 2022 do të mbahen zgjedhje të pjesshme vendore për kryetarët e bashkisë në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Top Channel