Dita Botërore e Dëgjimit, Manastirliu nga QSUT: Kryhen 20 impiante kokleare, financim 100% nga shteti

03/03/2022 13:31

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore të Dëgjimit, ka vizituar në QSUT fëmijët të cilët i janë nënshtruar procedurës së impiantit koklear, për rikuperimin e dëgjimit.

Manastirliu bëri me dije së janë kryer 20 procedura të impiantit koklear, teksa theksoi se këtë vit do të vijojë financimi i procedurës së kushtueshme për fëmijët e lindur me humbje të thellë dëgjimi.

Është me të vërtetë një arritje për QSUT sepse tashmë prej vitit 2020 ne kemi kryer më shumë se 20 impiante kokleare. 5 në vitin e parë, 15 gjatë vitit 2021 dhe planifikojmë që këtë vit të kryejmë mbi 20 impiante. 5 të parat i kemi kryer në këto ditë. Unë jam shumë e lumtur që jo vetëm procedura e implantimit që tashmë kryhet në QSUT dhe rimbursohet 100 % nga shteti, që është një procedurë me të vërtetë e kushtueshme, por shëndeti i fëmijëve nuk ka çmim, por kemi siguruar edhe rehabilitimin, një proces kaq shumë të nevojshëm për ta plotësuar këtë ndërhyrje, siç është shërbimi i logopedisë”, tha Manastirliu.

Në vitin 2020 janë impiantuar me sukses 5 fëmijë të moshës rreth 5 -6 vjeç, të cilët kishin vite që nuk gjenin dot zgjidhje. 15 të tjerë janë impiantuar gjatë 2021, dhe 5 të parët për 2022 janë impiantuar këto dy ditët e fundit.

Shërbimi i ORL parashikon rreth 20 CI në vit. Në Shqipëri, sipas studimeve, rreth 2 bebe në 1000 lindje normale dhe 1-2 bebe në 1000 lindje problematike paraqesin probleme dëgjimi dhe një përqindje e këtyre rasteve kërkon CI.

Top Channel