Sarandë/ Arrestohet 33-vjeçari me kombësi egjiptiane, po ecte me 4 sirianë. Do i ndihmonte të kalonin kufirin

02/03/2022 12:35

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës pasi u kap duke ndihmuar 4 emigrantë të paligjshëm, për të kaluar kufirin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një egjiptian do të ndihmonte disa shtetas sirianë, që të kalonin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin  “KONISPOLI”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi egjiptiane.

Ai u kap në vendin e quajtur “Shkallë”, Konispol, duke ecur në këmbë me 4 shtetas sirianë, të cilët më pas do t’i transportonte në kufi, kundrejt shpërblimit monetar, me qëllim kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Top Channel