Gati tregu i fruta-perimeve, tregtarët nisin punën në mesin e muajit mars

01/03/2022 09:57

Brenda javës së dytë të marsit do të hapet tregu i fruta perimeve në Durrës.

Kështu ka deklaruar kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako gjatë inspektimit të punimeve për vendosjen e banakëve të rinj në këtë treg. Kryebashkiakja Emiriana Sako dhe njëkohësisht kandidate e PS për zgjedhjet e 6 marsit, ka parë nga afër vendosjen e banakëve të rinj. Tashmë ka përfunduar investimi për rinkonstruksionin e tregut të përditshëm të fruta-perimeve dhe tashmë kishte ngelur vetëm pajisja me banakë.

Kryebashkiakja Sako ka inspektuar punimet gjatë montimit të banakëve në prani të një grupi tregtarësh që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë treg. Sako iu tha tregtarëve se: “sot po vendosen bankët e rinj për fruta-perimet, ndërsa pak më vonë mbërrijnë edhe banakët për markatën e bulmetit dhe atë të peshkut”.

Rikonstruksioni i markatës aktualisht ka përfunduar, ku vlen të përmendet infrastruktura nëntokësore shtrimi i sipërfaqes së saj dhe mbulimi me panele të reja. Tashmë tregtarët do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushte optimale higjeno-sanitare. Gjatë këtij inspektimi kryebashkiakja Sako është takuar edhe me tregtarët që i kanë shprehur mirënjohjen kryetares së bashkisë për investimin që është kryer dhe presin tashmë fillimin e punës pas dy javësh.

Top Channel