Lufta duket se po përhap panik edhe tek konsumatorët shqiptarë. Pikat e shumicës që tregtojnë miell janë përballur me dyndje qytetarët që kërkojnë të blejnë thasë me miell.

“Njerëzit kërkojnë shumë miell dhe është krijuar panik. Një kërkesë të tillë nuk e kam parë as në kohën e pandemisë, nuk kishim të tilla kërkesa. Miell ka plot, por njerëzit duan me patjetër të kenë miell në shtëpi, madje edhe mbi 20 thasë kërkojnë”, thote shitësi i intervistuar.

Në Portin e Durrësit ka mbërritur anija e fundit me grurë nga Rusia. Kërkesa prej 3030 ton grurë është bërë nga prodhuesit e miellit 13 ditë më parë, kohë në të cilën lufta Ukrainë-Rusi ende nuk kishte nisur. Marrëdhëniet tregtare me Rusinë dhe Ukrainën janë ndërprerë për shkak të luftës.

Sipas të dhënave nga INSAT vitin e kaluar 46% e drithërva të importuar në Shqipëri si vend origjine kishin Rusinë. Mbyllja e korridoreve tregtare mes Rusisë dhe vendit tonë ka përhapur panik tek qytetarët.

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri thotë se buka për shqiptarët është siguruar, dhe se nuk ka vend për panik:
“Sigurisht që dhe ne kemi rezervat tona. Një mesatare nëse do ta përpjestonim të gjithë sasinë që kemi, sigurojmë miell për një muaj e gjysmë ose diçka më tepër. ”

Importuesit e miellit po kërkojnë të blejnë grurë rifuxho në tregjet europiane, sipas tyre grurë ka, por që do të kushtojë më tepër.

Top Channel