Arrestohet 57-vjeçari në Dibër, u kap me armë zjarri dhe fishekë në banesë

01/03/2022 09:38

Një 57-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Dibrës pasi u kap me armë zjarri pa leje në banesë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet  e marra në rrugë operative, se një shtetas posedonte armë zjarri në banesë,  shërbimet e Komisaritit të Policisë Dibër,  organizuan punën dhe ushtruan kontroll në banesën e shtetasit L. K., banues në fshatin Muhurr, Dibër.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pushkë dhe 79 copë fishekë luftarak, që i posedonte pa leje.

Në përfundim të  veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. K., 57 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë Dibër,  për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel