Arrestohet 37-vjeçari në Elbasan, u kap me pistoletë dhe kanabis të ndarë në doza, gati për shitje

01/03/2022 10:22

Një 37-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Elbasanit pasi u kap me armë zjarri dhe kanabis.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Cërrik, në bashkëpunim me DVP Elbasan, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Kontakt”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 37 vjeç, banues në fshatin Shkëndi, Belsh.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në pronësi të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë  gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një sasi fishekësh dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pjesë e saj e ndarë në doza, gati për shitje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Top Channel