Aparatura e re DEXA edhe në Poliklinikën Qendore në Tiranë, Manastirliu: Rrisim gamën e ekzaminimeve në shërbimin shëndetësor publik

01/03/2022 16:44

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vizituar sot Poliklinikën Qendrore në Tiranë, ku është instaluar një prej katër aparaturave DEXA për matjen e densitetit kockor, aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë, të instaluara për herë të parë në shërbimin shëndetësor publik.

“Në kuadër të investimeve që vijojmë të bëjmë në të gjithë rrjetin tonë të shërbimeve, kujdesit parësor, kujdesit spitalor, atij specialistik, poliklinikat tona, jemi këtu sot pasi ka filluar puna edhe me një aparaturë të re, pikërisht për ekzaminimin e densimetrisë kockore apo të gjithë ato problematika që ka, për sa i përket osteoporozës. Tashmë është një ekzaminim që bëhet edhe në Poliklinikën Qendrore. Ndaj është gjithmonë rasti për të informuar të gjithë qytetarët që ashtu sikurse besoj na kanë ndjekur edhe në Poliklinikën e Vlorës, por edhe në Shkodër, në QSUT, por tashmë edhe në Poliklinikën tonë këtu në mes të Tiranës, kemi të instaluar këtë aparaturë të re”, deklaroi Manastirliu.

Gjatë inspektimit në Poliklinikën Qendrore, Manastirliu tha se këto janë investime që rrisin gamën e shërbime të ofruara në sistemin shëndetësor publik duke forcuar dhe kapacitetet e burimeve njerëzore për të kryer ekzaminime më shpejt.

“Janë investime që dita-ditës rrisin gamën e shërbimeve të ofruara në sistemin tonë shëndetësor publik. Forcojnë padyshim të gjithë kapacitetet e burimeve tona njerëzore, mjekëve, infermierëve, teknikëve gjithashtu. Sepse duke pasur aparatura të reja edhe ekzaminime të cilat na ndihmojnë jo vetëm të diagnostifikojmë më shpejt por edhe të ndjekim sëmundshmërinë në çdo fazë të saj. Padyshim që kjo na bën që të kujdesemi më shumë për qytetarët edhe për pacientët në çdo fazë të jetës së tyre”, theksoi Manastirliu.

Investim i qeverisë shqiptare për pajisjen e poliklinikave dhe spitaleve me pajisjen mjekësore për matjen e densimetrisë kockore për personat që vuajnë nga ostoporoza, një investim në vlerën 15.4 mln lekë.

Aparaturat janë instaluar në Polikliniken Qendrore në Tiranë, në QSUT, Poliklinikat e Spitaleve Vlorë dhe Shkodër. Dexa është aparat që përdoret për diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës, e cila ndodh më tepër te gratë mbi moshën 50 vjeç dhe në meshkujt mbi 60. Nga të dhënat e OBSH-së, 13%- 18% e grave pas moshës 50 vjeç kanë gjasa të vuajnë nga osteoporoza dhe 70% e moshës mbi 80 vjeç.

Top Channel