Veliaj: Tirana e gjitha e solidarizuar me Ukrainën/ Bashkia ndihma në ushqime e veshmbathje drejt Kievit

28/02/2022 15:46

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se qytetarët shqiptarë po solidarizohen çdo ditë e më shumë me Ukrainën dhe se shumë shpejt kryeqyteti do të nisë ndihma drejt Kievit.

Në fjalën e mbajtur në eventin hapës të projektit rajonal “Zhvilluesit dhe sipërmarrësit e rinj për avancimin e bizneseve start-up në Ballkanin Perëndimor”, Veliaj kujtoi se dy muaj më parë ai u takua me homologun e tij ukrainas, kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitschko, me të cilin tha se ndanë sfida të ngjashme, por ajo që i diferencon dy vendet tona është fqinjësia e mirë.

Para Vitit të Ri pata rastin të takoja kryetarin e Bashkisë së Kievit, i cili më foli për sfidën se si qytetet e mëdha duhet të përballojnë transportin publik apo çështjen e ujit, për faktin se shumë lagje të Kievit ishin shtuar. Këto më tingëlluan njësoj si sfidat tona. Folëm edhe për çështjen e mbeturinave, se si disa herë u duhej t’i digjnin, e disa herë të groposnin. Kush jetoi në Tiranë në muajin e fundit e pa se ky ishte sherri kryesor këtu. Pra, në dukje po flisnim për probleme komplet të njëjta, përveçse një detaji që lidhej me faktin se kush është fqinji yt, teksa ti adreson këto probleme. Unë besoj se ky forum i OSBE-së sot, më shumë se gjithçka tjetër është një kujtesë se sa e rëndësishme është të kesh edhe një fqinj që të ndihmon në ambiciet e tua, në ëndrrat e tua, që bashkëpunon me ty”, u shpreh Veliaj.

Shqipëria, tha Veliaj, si një vend që është rrethuar nga dy vende të Bashkimit Europian, Italia dhe Greqia, është shumë e bekuar për fqinjët që ka.

Ajo që po ndodh në Ukrainë është shumë e rëndësishme, të mendosh jo vetëm veten, por edhe se sa e rëndësishme është fqinjësia e mirë, të rrethohesh nga fqinjë që duan më të mirë tënde, të cilët duan që edhe ti të ecësh përpara, siç ne e kemi fatin të jemi me këta fqinj – ose mund të jesh i rrethuar nga fqinj që mendojnë si të të pushtojnë, si të avancojnë pretendimet e tyre territoriale. Shembujt më të mirë po na vijnë nga Ukraina, nga aktivistë të ngjashëm me ju, nga kryetarë bashkie të ngjashëm me disa prej nesh këtu, me disa programues dhe kodues që, edhe pse në kushte të vështira, po dalin me ide kreative, e ky takim na shërben edhe për të reflektuar pak, për të qenë mirënjohës për disa gjëra që ndoshta i marrim për të mirëqena, deri në ditën kur nuk i kemi më ose kur shohim se dikush i humbet këto brenda natës, e ngryset në një vend të lirë dhe gdhihet në një vend të pushtuar”, vijoi Veliaj.

Ai tha se së shpejti do të nisen drejt Kievit edhe ndihma konkrete. “Ne si qytet jemi përfshirë me këtë frymë solidariteti – besoj i patë sot edhe flamujt në autobusët publikë apo aktivitete të organizuara nga shumë të rinj gjatë gjithë kësaj fundjave, ndaj nesër kemi një takim zyrtar me ambasadën e Ukrainës në Tiranë për t’u siguruar që edhe ne si Bashki mund të ndihmojmë me batanije, veshmbathje apo ushqime, që mund të rezistojnë një kohë të gjatë. Ne do bëjmë pjesën tonë modeste, ndaj do t’i ftoja të gjithë të bënin pjesën e tyre”, e përfundoi Veliaj fjalën e tij.

Top Channel