Në ditën e pestë të luftës, pushtuesit në Ukrainë kanë goditur zonat rezidenciale, dyqanet dhe infrastrukturën. Forcat ruse i kanë vënë flakën një qendre tregtare dhe një supermarketi me perime në Bordyanka.
Ndërsa kanë nisur bisedimet në Bjellorusi, forcat ruse vijojnë të godasin me predha në Chernihiv. Në zonën e prekur janë ndërtesa banimi private dhe shumëkatëshe dhe kudo duken shtëllungat e tymit që kanë mbuluar vendin.
Ministria ukrainase e mbrojtjes pohoi se që prej fillimit të pushtimit kanë humbur jetën 352 civilë, mes të cilëve fatkeqësisht, edhe 14 fëmijë. Por rezistenca vazhdon, madje në nivele të tilla sa duket se e ka befasuar Moskën. Kremlini priste një marrje shumë të shpejtë të Kievit, dhe duket kishte planifikuar një luftë të shkurtër, por nuk rezultoi ashtu.
Rezistenca e fortë ukrainase, e ushtrisë por edhe civilëve vetë, nuk e ka lejuar Moskën të marrë kontrollin e qendrave të mëdha urbane, siç shpresonte.
Top Channel