Ambasadori ukrainas takon Presidentin Meta: I përcolla falenderimet e Zelenskyt, populli ukrainas është mirënjohës

28/02/2022 13:51

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta takoi këtë të hënë ambasadorin ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov, për t’i shprehur mbështetjen e Shqipërisë.

Meta, në një deklaratë për mediet pas takimit që u zhvillua në ambasadën e Ukrainës theksoi se Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Ukrainës, që për të pestën ditë radhazi po përballet me agresionin rus.

Do të vazhdojmë të jemi në krah të popullit të Ukrainës, do të vazhdojmë të jemi me vendet demokratikje dhe vendet e përgjegjshme të botës”, tha Meta.

Shkurov nga ana e tij falenderoi Presidentin dhe shqiptarët. “Si ambasador i Ukrainës në Shqipëri, edhe para se të niste konflikti kam ndjerë mbështetjen e zotit Meta. Edhe pas nisjes së luftës, ka qenë ndër të parët që ka shprehur mbështetjen për Ukrainën. Sot, gjatë takimit tonë i përcolla Metës falenderimet e presidentit Volodimir Zelensky dhe falenderimet e popullit ukrainas për Shqipërinë”, tha Shkurov.

Në mbështetje të Ukrainë, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka njoftoi një ditë më parë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, që do të jenë në fuqi për sa kohë që Rusia vazhdon agresionin e saj në shtetin fqinj.

Sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.

Në sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.

Në sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji. Do të ndalohet gjithashtu ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përkatëse.

Në sektorin e teknologjisë do të vendosen kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo do të përfshijë produkte të tilla si gjysmëpërçuesit ose teknologjitë më të fundit.

Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore.

Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.

Top Channel