Policia e Shtetit njofton se është goditur një grup i strukturuar kriminal ku janë vënë në pranga 7 shtetas, 3 prej të cilëve punonjës Policie, pasi kapen teksa trafikonin mjete motorike të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Nacional” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– S. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– E. C., 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– V. D., 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe E. A., 24 vjeç, punonjës policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– F. B., 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.
Finalizimi i këtij operacionit policor është bërë nga DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se shtetasi S. Sh., në rolin e drejtuesit, kishte krijuar një rrjet personash, në lidhje familjare ose shoqërore, që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë.
Nga ana tjetër, shtetasi N. Sh., nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura aty. këto të fundit, më pas, duke mos u regjistruar, trafikoheshin nëpërmjet PKK Morinë me ndihmën e shtetasit F. B., me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë.
Policia e Shtetit njofton vijimin e bashkëpunimit me autoritetet Policore të Kosovës, për të identifikuar dhe kapur shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Top Channel