Pushtimi rus godet ekonominë botërore/ Rama: Po punojmë për të penguar shtrenjtimin e energjisë dhe produkteve të tjera

25/02/2022 19:43

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndikuar menjëherë në ekonomi. Çmimi i naftës dhe arit u rrit në Rusi dhe në të shumë shtete të botës.

Në konferencën që dha për mediet pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të NATO-s, kryeministri Edi Rama u shpreh se po punohet për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë dhe hidrokarburave.

Ne blejmë në tregjet ndërkombëtare, që do të thotë që ka shumë rëndësi se çfarë çmimesh kanë tregjet ndërkombëtare. Prandaj kemi bërë një ndryshim, kemi kthyer përmbys skemën e import-eksporteve. Po punojmë për të ndërtuar Skavicën, na jep mundësinë të mos derdhim asnjë pikë ujë kur kemi shumë reshje dhe të mos shesim asnjë kv kur është me çmim të lirë, port a kemi të depozituar në rezervat”.

Rama iu përgjigj dhe pyetjes që thotë se e ka dëgjuar dhe lexuar kudo këto ditë, se si mund ta përballojë Shqipëria një luftë të mundshme në vendin tonë.

Ka shumë njerëz që thonë se mund të vijë lufta dhe Shqipëria nuk ka avionë apo raketa. Shqipëria ka një plan të vetin për fuqizimin e ushtrisë, po punohet për një bazë ajrore të NATO-s këtu. As nuk e parashikojmë, as nuk e evitojmë dot Luftën e Tretë Botërore.

Ka shumë rëndësi të vazhdojmë punën dhe aktivitetin tonë normal. Jemi vend i NATO-s, që do të thotë në rastin e Ukrainës kemi të bëjmë me një vend partner që është sulmuar, por nuk e vë menjëherë në lëvizje artikullin 5, që kur sulmohet një vend, sulmohen të gjithë”.

Niveli i lartë i pasigurisë, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës një ditë më parë, po ndikon në ecurinë e bursave, duke filluar me ato në Azi që arritën në minimumin e tyre që nga viti 2020, kur u përhapën lajmet e para për pandeminë e koronavirusit.

Çmimi i naftës arriti në 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga vitit 2014 dhe ka pasur rritje të reja për gazin natyror, nga i cili Rusia është furnizuesi kryesor i vendeve evropiane. Ari arriti në një nivel të ri pas rritjes së çmimit të tij në fillim të vitit 2021.

Bursa e Wall Street dhe Indeksi i Aksioneve Teknike Nasdaq përfunduan të mërkurën duke humbur përkatësisht 1.38 dhe 2.57 për qind. Sipas analistëve, pas një kolapsi fillestar, stoqet do të rriten sërish në javët në vijim, pasi të sqarohen synimet e Rusisë përveç ndërhyrjes ushtarake.

Në Tokio, indeksi kryesor i tregut të aksioneve u mbyll me 1.3 për qind, ndërsa indeksi australian humbi 3 për qind dhe ai i Koresë së Jugut 2.6 për qind. Bursa e Hong Kongut humbi 3.4 për qind dhe ajo e Shangait 1.7 për qind. Në orët në vijim priten humbje nga indekset kryesore të aksioneve të bursave evropiane.

Ndër lëndët e para që duhen vëzhguar më me kujdes është gazi, çmimi i të cilit ka ndikuar ndjeshëm në koston e energjisë në pjesën më të madhe të Evropës.

Indeksi kryesor i referencës regjistroi një rritje prej 41 për qind, duke konfirmuar rritjet që u vunë re gjatë javëve të fundit.

Rubla, monedha ruse, ka arritur nivelin më të ulët të historisë ndaj dollarit, duke humbur më shumë se 7 për qind. Për një dollar duhen 87.66 rubla, në fund të 2021 duheshin rreth 73. Në orët e para të së enjtes, euro humbi 0.55 për qind kundrejt dollarit dhe 1 për qind kundrejt jenit, monedhës japoneze.

 

Top Channel