Arrestohet 38-vjeçari, kërcënoi policinë se do i qëllonte me armë zjarri

25/02/2022 18:13

Kamëz – Një 38-vjeçar është vënë në prangat e policisë pasi qëlloi me armë zjarri në ajër.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative se mund të kishte qëlluar një person me precedent penal në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Shooting”.

Shërbimet e Policisë janë afruar në banesën në të cilën dyshohej se fshihej personi me armë dhe i kanë bërë thirrje që të hapte derën dhe t’i bindej kontrollit të Policisë.

38-vjeçari i identifikuar me inicialet F.J., nuk i është bindur thirrjes së Policisë, por ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar se do qëllonte në drejtim të punonjësve të Policisë.

Pas ndërhyrjes profesionale të punonjësve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

F,J., 38 vjeç, banues në rrugën “Moxart”, Kamzë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i cili u kap me armë në dorë, me fishkë në fole gati për qitje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, dy karikatorë me fishekë luftarak dhe 11 gëzhoja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel