Ukraina i kërkon ndihmë Shqipërisë/ Ambasadori i Ukrainës: Na dërgoni karburante. Nga BE kërkojmë armë

24/02/2022 19:38

Krahas sanksioneve te rrepta Ukraina i ka kërkuar vendeve europiane edhe ndihmë në armatime. Lajmi konfirmohet nga ambasadori i Ukrainës në Tiranë Volodymyr Shkurov, i cili zbulon edhe kërkesën për qeverinë shqiptare.

Volodymyr Shkurov: Ne nuk do  të dorëzojmë pavarësinë dhe sovranitetin tonë, do të mbrojmë atdheun tonë më të gjitha mënyrat, por kemi nevojë për mbështetje dhe ndihmën aktive. I bëjmë thirrje BE-së dhe  SHBA  dhe te gjithë botës demokratike të përdorin ndaj agresorit sanksione te tilla të cilat do ta ndalojnë atë. Përveç sanksioneve ne kemi bërë  një kërkesë  për armatime,  por gjithashtu  dhe  për ndihmë financiare. I kemi  bërë kërkesë edhe qeverisë shqiptare  për ndihmë me benzinë dhe lëngje të tjera si këto.

Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht thirrjes për ndihmë.

Volodymyr Shkurov: Këto kërkesa janë bërë  së fundmi dhe disa sapo i kemi bere  kështu që nuk ka patur akoma kohe për reagim.   Disa nga elementet e ndihmës janë të dakordësura me Shqipërinë dhe po prisnim mënyrën e transportit për të vijuar procedurat. Nuk sos rresht se falenderuari  Shqipërinë për këtë sjellje dhe solidaritetin e treguar ndaj nesh. 

Ukraina nuk e ka njohur ende si shtet Kosovën, por mbështetja e saj nuk ka munguar.

Volodymyr Shkurov: Për ne është i rëndësishëm do lloj mbështetje edhe nga qytetarët e Kosovës . Shpreh mirënjohjen time zyrtare. Por,  duke kuptuar aspektin njerëzor të situatës jam i detyruar  të njoftoj se Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën. Aktualisht ne nuk po flasim për kontekstin ligjor,  por në  atë të marrëdhënieve njerëzore.

Nga bilanci i orëve të para diplomati ukrainas flet për dhjetëra civil të vrarë mes tyre dy fëmijë.

Top Channel