Sulmi ndaj Ukrainës/ Meta pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Shqipëria me NATO-n dhe BE-në, e angazhuar për sigurinë e përbashkët

24/02/2022 20:06

Presidenti Republikës, Ilir Meta foli sot për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Teksa ka nisur agresioni ushtarak rus në Ukrainë, Meta tha se Këshilli diskutoi mbi të gjitha masat që do të ndërmerren për të adresuar këtë situatë, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët, si sa u përket angazhimeve tona ndërkombëtare, ashtu edhe në raport me sigurinë në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët. Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Europian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Presidenti.

Ai dënoi sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran:

Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën.

Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike.

Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO, dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u bashkohet thirrjeve të Aleancës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Rusisë për të braktisur menjëherë këtë rrugë të dhunës dhe agresionit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të kthehet në rrugën e dialogut”.

Top Channel