“Një milion euro të falsifikuara në valixhe”/ Arrestohet bashkëpunëtori i kamerunasit që u kap në Rinas

24/02/2022 17:56

Një tjetër person nga Kameruni u arrestua këtë të enjte nga policia si bashkëpunëtor i shtetasit Jose Ngankam,  i cili një javë më parë u kap në Rinas me një milion euro të falsifikuara.

Në prangat e policisë ra shtetasi Zindine Foungue Nkeh, 44-vjeç, i lindur në Kamerun dhe banues në Paris, gjithashtu është shpallur në kërkim edhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije për shkak të hetimit.

Theksojmë se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të fusin në qarkullim në territorin e republikës së shqipërisë rreth 1 milion Euro, kartmonedha të cilat i janë sekuestruar shtetasit Jose Ngankam.

Në një njoftim për mediat, policia tha se falë operacionit të koduar “Lastra”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit kamerunas Josoue Ngakam, 53 vjeç, me leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, në bagazhet e këtij shtetasi janë gjetur sasi të konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara, lastra, letër speciale për prodhimin e kartëmonedhave euro dhe një aparat celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të parashikuar nga neni  “Falsifikimi Monedhave”.

Top Channel