“Greqia  dënon sulmin aktual rus ndaj Ukrainës, i cili është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe vlerave botërore. Ajo gjithashtu minon paqen dhe sigurinë evropiane”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke mesditën e së enjtes.

Mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së të gjitha shteteve është një parim themelor për Greqinë ndaj dënon çdo shkelje të këtyre parimeve bazë të parashikuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara-vazhdon me tej deklarata.

Ministria e Jashtme greke sqaron se duke shprehur solidaritetin me Ukrainën do të vazhdojë të qëndrojë pranë komunitetit grek atje në këto kohë të vështira ,ndërsa i bën thirrje palës ruse që menjëherë t’i japë fund akteve të luftës, të cilat përveç pasojave të tjera, rrezikojnë jetën e civilëve, përfshirë komunitetin grek që jeton në Ukrainë.

Deklarata në fund thekson se Greqia është në koordinim të vazhdueshëm me partnerët evropianë dhe aleatët e saj te NATO-s në lidhje me reagimin ndaj shkeljes së ligjit ndërkombëtar.

Theksohet se ministri i jashtëm grek është kthyer me urgjencë nga një udhëtim në Afrikë, ndërsa kryeministri Mitsotakis ka mbledhur për të dytën herë brenda dy ditëve Këshillin e Jashtëzakonshëm qeveritar për Mbrojtjen.

Aty ai me një ton dramatik deklaroi  se “sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e vendos  komunitetin botëror në mënyrë dramatike përpara përgjegjësive të tij. Sepse në krizën ukrainase testohen e Drejta Ndërkombëtare, vlefshmëria e Traktateve, por edhe vetë e drejta e shteteve për të jetuar të lirë. Dhe gjithashtu vihen në kërcënim të madh stabiliteti gjeopolitik në Evropë dhe bilanci ndërkombëtar i energjisë.”

“Greqia respekton integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e të gjitha vendeve. Prandaj dënon pa mëdyshje aktet që bien ndesh me këto vlera. Dhe shumë më tepër dënon dhunën brutale nga e cila, për fat të keq, shumë njerëz të pafajshëm do të humbasin jetën.

Prandaj, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po koordinohemi me partnerët tanë që reagimi ynë të mos jetë thjesht i përbashkët, por edhe në përputhje me provokimin e paprecedentë rus. Dhe, sigurisht, ne gjithmonë i mbajmë sytë nga homogjenet tanë atje, veçanërisht në zonën e Mariupolit”, ka thënë Mitsotakis.

Sa i përket krizës energjetike ai ka thënë se qeveria greke po i përshtat politikat e saj në bazë të situatave të reja të krijuara dhe ka siguruar grekët se rezervat e gazit dhe të naftës janë të siguruara.

Ai do të propozojë  gjithashtu në samitin e lartë të vendeve anëtare të BE që do  të krijohen instrumente financiare evropiane për të përballuar  rritjen e çmimit të energjisë për aq kohë sa do të zgjasë ky fenomen dhe i bashkohet mendimit se  të gjitha këto zhvillime nxjerrin në pah edhe më shumë nevojën për një autonomi të konsiderueshme strategjike evropiane në çështjen e energjisë”.

Top Channel