Gazetari amerikan në Kiev: Bombardimet ndaluan! Nuk u goditën zona banimi

24/02/2022 09:59

Gazetari amerikan në Kiev, Nolan Peterson tha se bombardimet ndaluan, ndërsa tanket ruse kanë hyrë nga Bjellorusia, me gjasë drejt Kievit.

“Qetë për momentin. Bombardimet ndaluan. Tanket ruse kanë hyrë nga Bjellorusia, me gjasë drejt Kievit. Rrugët jashtë qytetit janë të bllokuara dhe rrezik i lartë për të më shumë bombardime së shpejti. Nga sa mund të them, ishin sulme me raketa kundër objektivave ushtarake. Asgjë nuk goditi asnjë zonë banimi, falë Zotit. Për momentin, ukrainasit janë kthyer në rrugë, trafiku po rrjedh, transporti publik është ende në punë. Unë vetëm shpresoj me gjithë zemër dhe shpirt që Rusia të mos vijojë luftën brenda qytetit”, tha Peterson.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës nga Donbasi duke shkaktuar shtatë të vrarë dhe nëntë të plagosur deri më tani. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha këtë mëngjes se Rusia nisi pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putinin”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, tha Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi tha se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Top Channel