Frika nga pushtimi rus/ Ministrja Xhaçka: Kemi folur me të gjithë shqiptarët në Ukrainë

24/02/2022 21:40

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka foli sot në Open për sulmin rus ndaj Ukrainës. Ajo tha se është diçka e rëndë të ndodhi në vitin 2022.

“Është e rëndë që në vitin 2022 të zhvillohet një luftë e tillë, pa asnjë arsye. Pavarësisht investimeve që ka bërë ushtria ukrainase është përballë një ushtrie të fuqishme, ndër më të fuqishmet në botë. Nuk ka pasur një sulm të Ukrainës ndaj Rusisë, as ndaj republikave popullore të Doneskut. Kjo është fushatë ruse me sajesa e lajme të rreme që donin të justifikonin këtë akt. Eshtë më tepër se një sulm rus”.

Kjo është luftë botëtore që nis me Ukrainën, jeni dakort?

S’do e thoja këtë, por është një luftë kundër të gjithë sistemit që ka ngritur Europa sot. Prandaj dhe Shqipëria ka mbështetur sovranitetin e Ukrainës dhe kjo është në respekt të kartës së OKB-së.

A zgjidhet kjo vetëm me sanksione?

Ndoshta bota sot ndodhet në prag të një Mynihu të dytë, për të parë nëse vendet e Europës do i hapin rrugë Rusisë apo jo.

A do të sulmohet Rusia?

Nuk flasim për diçka të tillë, por do kordinohemi me të gjithë partnerët. Reagimi i Europës do të jetë shumë i fortë, për ta bërë Rusinë të paguajë.

Keni dijeni për qytetarët shqiptarë në Ukrainë?

Patjetër, janë pak shqiptarë atje me familje të krijuar prej vitesh. MEPJ i bëri thirrje të largohen nga Ukraina, vumë në dispozicion numra kontakti për ta.

Top Channel