Arrestohen juristë dhe hartografë të ASHK, paraqitën dokumente të falsifikuara për regjistrimin e ndërtesës

23/02/2022 18:13

Katër persona, me detyrë specialistë juristë dhe hartografë në Drejtorinë Rajonale e ASHK “Rurale 1” Tiranë kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Legalizimi i fundit”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– P. T., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist jurist në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

– L. G., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist hartograf në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

– A. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, ish-specialist hartograf në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

– H. S., 60 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit L. G., A. D., P. T., me detyrë specialistë juristë dhe hartografë në Drejtorinë Rajonale e ASHK “Rurale 1” Tiranë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të kundraligjshme dhe në kundërshtim me Ligjin Nr.111/2018 “Për Kadastrën“, kanë regjistruar një ndërtesë në favor të shtetasit H. S, ndërsa shtetasi H. S., ka paraqitur dokumente të falsifikuara për regjistrimin e një ndërtese në favor të tij, në Drejtorinë Rajonale të ASHK “Rurale 1” Tiranë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel