Tensionet Ukrainë-Rusi/ Rritet çmimi i naftës, frikë për çrregullim në furnizime

22/02/2022 18:49

Nuk vonoi shumë që frika se përshkallëzimi i krizës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime të furnizimit, të ndikonte mbi çmimin e naftës dhe gazit.

Kuotimi i tyre është në rritje e gjatë ditës së sotme, çmimi i naftës së papërpunuar Brent, pika ndërkombëtare e referimit, mbërriti  99.38 dollarë për fuçi – niveli më i lartë në shtatë vjet.

Luhatjet erdhën menjëherë pasi presidenti rus Vladimir Putin, njohu rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck, si entitete të pavarura. Paskësaj, Putini urdhëroi dhe vendosjen e trupave ruse atje. Disa vende perëndimore kanë kërcënuar me sanksione kundër Rusisë, e cila është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës, pas Arabisë Saudite. Rusia është gjithashtu prodhuesja kryesore në botë e gazit natyror.

Në Londër, tregu i aksioneve u hap me rënie 1.4 për qind, megjithëse arriti ta rimerrte veten në orët e mëvonshme. Tregjet aziatike të aksioneve u mbyllën po ashtu më ulët e një situatë e ngjashme pritet dhe në bursat amerikane. Marsin e vitit të kaluar, kuotimi i arit të zi në tregjet ndërkombëtare nisi të binte ndjeshëm për shkak se masat kundër pandemisë, ndikuan dhe mbi kërkesën për karburant.

 

Top Channel