Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.

Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.

Ky vendim i Putinit ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.

Në dekret theksohet se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.

Po ashtu, dekreti nënvizon se ushtria ruse do të hyjë në Donetsk “me kërkesë të republikës për të siguruar paqen”.

Aty i kërkohet Ministrisë së Jashtme të Rusisë të përgatisë “një marrëveshje për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të dyanshme” me Republikën e Donetskut dhe që ajo t’i dërgohet Kremlinit për nënshkrim.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se mbështesin plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.

Top Channel