NATO e BE: Veprimet e Rusisë në Ukrainë, akt i hapur lufte!

22/02/2022 13:21

Njohja e pavarësisë së rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut nga ana e Moskës, u prit me festime në këto dy krahina të Ukrainës Lindore, të kontrolluara prej vitesh nga separatistët pro-rusë.

Por ky hap i Vladimir Putin është kritikuar ashpër nga BE-ja, që e cilësoi një akt lufte. Komisionari Europian për Drejtësinë ,Didier Reynders, deklaroi se nga ky moment, blloku është i gatshëm të vendosë sankione kundër Moskës.

Duke folur për transmetuesin belg, RTBF, Reynders sqaroi se për këtë, do të nevojitet që të ketë pajtueshmëri unanime mes vendeve anëtare. Masat sipas tij, do të vijnë duke u shtuar gradualisht, vnë varësi të veprimeve ruse. Lloji i parë i sanksioneve mund të lidhet me ndalesën e udhëtimeve ndaj individëve të caktuar dhe sanksione kundër subjekteve ekonomike, përmes konfiskimit të aseteve në Europë dhe më tej.

Përveç kësaj, Reynders ka thënë “se do të jetë e nevojshme të garantohet që nuk do të ketë më importim të mallrave dhe shërbimeve nga Rusia, sic është energjia, ndërsa do të ndërpritet qasja globale e Rusisë në shërbimet financiare”.“Gjithçka është në tavolinë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i dënoi veprimet e Rusisë –duke theksuar se kjo lëvizje “vetëm sa minon” më shumë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainë.

Top Channel