Kryebashkiakja Emiriana Sako takim me banorët e Xhafzotaj: Përmirësim i infrastrukturës dhe shërbimeve publike 

22/02/2022 14:30

Kryetarja e Bashkisë së Durrës, Emiriana Sako, e shoqëruar nga deputeti socialist, Blendi Klosi zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Xhafzotaj njësia administrative Rrashbull, ku theksoi vëmendjen e Bashkisë ndaj përmirësimit të infrastrukturës në të gjitha njësitë administrative ndërsa u ndal veçanërisht në punët e kryera në këtë zonë.

Investime të rëndësishme në rrjetin e ujësjellësit, infrastrukturës rrugore, rrjetit të furnizimit me energji elektrike, janë disa nga investimet e përfunduara në këtë zonë, që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj zone, ndërsa paralelisht vijon procesi i rindërtimit për banorët e prekur nga tërmeti, bëri të ditur Sako.

Kryebashkiakja Sako ka folur para banorëve se vetëm vitin e kaluar në njësinë administrative Rrashbull janë rehabilituar 11 akse rrugore, ndërkohë që me mbështetjen e OSHEE është bërë e mundur ndërtimi i rrjetit të ri 20 kilovolt të furnizimit me energji elektrike për gjithë njësinë administrative. Gjithashtu me fonde të buxhetit të shtetit është bërë e mundur investimi për ujësjellësin, çka ka përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm të zonës.

Kryebashkiakja Sako deklaroi se në buxhetin e këtij viti është parashikuar ndërtimi i dy akseve të reja rrugore, rikonstruksioni i fasadave për pallatet 5-katëshe që nis pas një muaji si dhe ndërtimi i një këndi të ri lojërash.

Kryebashkiakja Sako theksoi edhe një herë se programi më i rëndësishëm është ai i rindërtimit, për të cilin ka pasur gjithmonë mbështetjen e kryeministrit Rama. Sako shtoi se ne do e përfundojmë këtë program ashtu sic e këmi premtuar derisa të gjithë banorët e prekur nga tërmeti të kthehen në banesat e tyre. Në fund të takimit Sako shprehu bindjen se do të ketë mbështetjen e banorëve për zgjedhjet e 6 marsit.

Deputeti dhe koordinatori organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në këtë takim, u shpreh i kënaqur nga reforma territoriale, e cila ka dhënë efekte pozitive në rritjen e shërbimeve për banorët e Bashkisë Durrës, pavarësisht se ku jetojnë ata.

“Xhafzotaj është faktikisht një nga lagjet e Durrësit, e cila tashmë jep mbështetje për Edi Ramën, Partinë Socialiste, për të gjitha punët e mira që janë bërë për ju, prandaj dhe ftesa jonë është ta mbështesim kandidaturën e znj.Sako, pasi ka dëshmuar përkushtim për të punuar në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit”, pohoi Klosi.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel