“Moska po shënjestron shqiptarët”; Serbët e Bosnjes mbështesin agresionin rus

21/02/2022 15:55

Ministria e jashtme e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet ruse për “rekrutim mercenarësh në Kosovë, Shqipëri e Bosnje” të cilët të përfshihen në luftimet në Ukrainë.

Përmes një njoftimi, ajo i cilësoi si të “pavërteta dhe tendencioze pretendimet e agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se gjoja ‘Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin…”.

Në 18 shkurt, agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi se ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, kishte deklaruar se Rusia po verifikonte raportimet se “mercenarët nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina po dërgohen në Donbas”.

Në reagimin e ministrisë theksohet se me ligjet në fuqi, qytetarëve të Kosovës u ndalohet që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit.

Deklaratat në fjalë janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse e cila ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, analisti politik Leon Duhanaj tha për Bota Sot se Rusia “po luan me zjarrin”. Sipas tij, qëllimi kryesor i shtetit rus nuk është lufta, por shtrirja e ndikimit në Europë, më saktësisht edhe në Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket ‘mercenarëve shqiptarë’ në Ukrainë, analisti tha se përmes kësaj, Moska po kërkon t`i paraqesë shqiptarët si luftënxitës.

Pohime të tilla për mendimin tim janë në shërbim të kësaj axhendë në mënyrë që ta paraqesë Kosovën si  problem për paqen dhe shqiptarët si luftënxitës”, është shprehur ai.

Ndërkohë, rrugët e Banja Llukës së Republikës Serbe në Bosnje janë mbushur me banderola në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë.

Rusët e Ukrainës dhe serbët janë me ju, kjo quhet liri!”, shkruante një prej tyre.

Top Channel