Kina godet SHBA-në për Tajvanin: Sanksionon dy kompani amerikane armësh

21/02/2022 12:55

Ndërhyrjet për Tajvanin, i sollën SHBA-së goditjen e parë nga Kina. Pekini vendosi sanksione ndaj dy kompanive amerikane të armëve, Lockheed Martin Corp dhe Raytheon Technologies Corp, me argumentin se në 7 shkurt i shitën ishullit armë për gati 100 miliardë dollarë.

Kina tha se kjo shitje “minon interesat e sigurisë kineze, e kërcënon seriozisht raportet Kinë-SHBA si dhe paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”. Pekini e konsideron Tajvanin e vetëqeverisur një provincë e shkëputur, që duhet t`i bashkohet Kinës.

“Në përputhje me masat përkatëse të ligjit për sanksionet kundër të huajve, Qeveria kineze ka vendosur që të ndërmarrë kundërmasa për shkak të shkeljeve nga Raytheon Technologies dhe Lockheed Martin”, tha zëdhënësi i qeverisë kineze Wang Webin.

“Që të dy këto kompani janë kompani ushtarake dhe për një kohë të gjatë kanë marrë pjesë në shitjen e armëve amerikane në rajonin kinez të Tajvanit”, u shpreh ai.

Autoritetet kineze nuk kanë dhënë nga ana tjetër detaje lidhur me natyrën e sanksioneve me të cilat do të përballen dy kompanitë në fjalë.

Kjo është hera e parë që ato gjenden përballë masash të tilla, të bazuara mbi ligjin e ri të Kinës për sanksionet ndaj të huajve, që u miratua vitin e kaluar në përgjigje të sanksioneve amerikane kundër kompanive kineze.

Top Channel