Për Kampionatin Europian të të Rriturve në Peshëngritje që Shqipëria do të organizojë në muajin maj në Tiranë, kanë mbërritur në kryeqytet drejtuesit e lartë të federatës Europiane të Peshëngritjes me në krye presidentin Antonio Conflitti.

“Ne vijmë nga familja europiane e peshëngritjes dhe ndihemi mirë kur shohim një bashkëpunim të tillë të federatave tona dhe Komitetit Olimpik si tek ju. Kampionati europian i të rriturve është aktiviteti ynë më i rëndësishëm i kontinentit dhe ky vit është i veçantë për ne pasi është 100 vjetori i këtij kampionati, pra është një vit jubile”, tha Antonio Conflitti,  president i Federatës Europiane të Peshëngritjes.

 “Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për ne pasi në vizionin tonë është një sport elitar. Ne kemi shumë kampion në këtë sport ashtu siç u vu re edhe në Uzbeksistan. Në këtë vit Tirana është kryeqyteti i të rinjve dhe është shumë e rëndësishme për ne dhe për mua që të sjellim sa më shumë të rinj të garojnë dhe të shohin ndryshimin në vendin tonë”, tha Fidel Ylli, president i Komitetit Olimpik.

Federata Europiane e Peshëngritjes është një shembull i sloganit “Sporti bashkon popuj”.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm zoti Astrit Hasani, president i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës njëkohësisht shef i Thesarit të Federatës Europiane dhe Milan Mihajloviç, president i Federatës së Peshngritjes së Serbisë njëkohësisht dhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane.

“Sporti është një hap përpara politikës kjo është dhe arsyeja që ne jemi këtu së bashku me presidentin e federatës së Kosovës dhe presidentin e federatës së Serbisë të peshëngritjes në të njëjtin vend bashkë”, tha Ylli.

Top Channel