Biden qetëson Putinin: Hajde takohemi, por mos pushto Ukrainën

21/02/2022 13:05

Në kohën kur tensionet në kufirin e Rusisë me Ukrainën janë përshkallëzuar në pikën e vlimit, veçanërisht pas pohimeve të inteligjencës amerikane se presidenti rus Vladimir Putin e ka dhënë urdhrin për sulm, shefi i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden ndërhyn për të qetësuar situatën.

Biden pranoi në parim të takohet me Putin me kushtin që Moska të mos e sulmojë vendin fqinj.

Washingtoni është i angazhuar të ndjekë rrugën e diplomacisë deri në fund. Për këtë arsye, presidenti Biden pranoi një takim në parim me presidentin Putin, por kjo vetëm nëse pushtimi nuk ndodh”.

Nuk është përcaktuar ende as koha e saktë dhe as vendi ku do të mbahet takimi i ndërmjetësuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, por nëse ndodh pritet të jetë pas përballjes së planifikuar këtë javë mes sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken dhe homologut të tij rus, Sergey Lavrov.

Një zyrtar i lartë amerikan e pohoi për CBS News se komandantët rusë i kanë marrë urdhrat për të pushtuar Ukrainën dhe krerët ushtarakë në terren po thurin planet sesi do të manovrojnë në sektorët e fushëbetejës.

Megjithatë sipas tij, urdhrat nuk nënkuptojnë se tashmë mësymja është fakt, pasi Putin mund t`i tjetërsojë ato nëse ndryshon mendje.

Pas javë të tëra paralajmërimesh mbi rrezikun e sulmit mbi Ukrainën, Biden u shpreh i bindur se Putin e kishte ndarë mendjen tashmë. Kreu i diplomacisë amerikane, Blinken, po ashtu tha për  “Face the Nation” se Shtetet e Bashkuara besojnë që Rusia po avancon me planet e pushtimit, pavarësisht mohimeve të Moskës.

CNN megjithatë, mendon se një takim me Putinin, bart në vetvete mjaft rreziqe për Biden.

Presidenti amerikan po kërkon të shënojë një fitore të madhe në politikën e jashtme, por bashkë me të vijnë dhe probleme politike e strategjike, që mund të kthehen në boomerang. Mosbesimi mes palëve, Rusisë, Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë është sot shumë i lartë, ndërsa përballjet e fundit SHBA-Rusi janë karakterizuar nga përçmimi, dyshimet e sarkazma.

Lufta agresive e informacionit nga ana e SHBA-së ka pasur qëllimin e qartë të privojë përpjekjet ruse nga efekti surprizë. Nëse takimi Biden-Putin mbahet, republikanët mund ta akuzojnë presidentin se po përpiqet të marrë me të mirë liderin rus dhe se po shpërblen qëndrimin e tij duke mbajtur Ukrainën peng.

Nga ana tjetër, thotë CNN, nëse takimi dështon dhe Putin vazhdon me planet e sulmit, Bideni do të akuzohet si udhëheqës i dobët, e kjo në një kohë kur sondazhet tregojnë se niveli i tij i aprovimit në popull, vazhdon të bjerë.

Top Channel