Personi që u gjet i vdekur në traget në garazhin numër dy të tragetit është Malesiadis Evangelos, shtetas grek, të cilin e njohu djali i tij nga tatuazhet që kishte në trup.
Ndërsa Kirylenka Kiryl është shoferi që u gjet i gjallë në fund të anijes, që pak ditë më parë u shpall i zhdukur. Ende nuk dihet fati i 10 të tjerëve, ndërsa shpresohet që të gjenden gjallë.
Në anijen e linjës Greqi-Itali po udhëtonin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa anija u përfshi nga flakët në ngushticën mes Shqipërisë dhe ishullit të Korfuzit.
Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.
Kur ra zjarri, anija ishte në ujërat greke, por rrymat detare e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare.
Trageti është pjesë e flotës së grupit “Grimaldi Lines” dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë. Në operacionin e shpëtimit u përfshinë të paktën tre anije të rojës bregdetare dhe një anije e Guardia di Finanza.
E derisa dy ministritë e jashtme të Greqisë dhe Italisë të gjejnë një zgjidhje diplomatike, ka qenë ministri grek i marinës tregtare Janis Plaqiotaqis i cili ka urdhëruar që anija të ankorohet në një vend të sigurt, t’i hiqen karburantet dhe të përfundojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur. Autoritetet greke thanë se “Euro Ferry Olimpia” do të ankorohet në Kasiopi.
Kujtojmë se një rast i ngjashëm ndodhi në vitin 2014, ku 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.
Top Channel