Personi që u gjet i vdekur në traget në garazhin numër dy të tragetit është Malesiadis Evangelos, shtetas grek, të cilin e njohu djali i tij nga tatuazhet që kishte në trup.

Ndërsa Kirylenka Kiryl është shoferi që u gjet i gjallë në fund të anijes, që pak ditë më parë u shpall i zhdukur. Ende nuk dihet fati i 10 të tjerëve, ndërsa shpresohet që të gjenden gjallë.

Në anijen e linjës Greqi-Itali po udhëtonin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa anija u përfshi nga flakët në ngushticën mes Shqipërisë dhe ishullit të Korfuzit.

Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.

Kur ra zjarri, anija ishte në ujërat greke, por rrymat detare e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare.

Trageti është pjesë e flotës së grupit “Grimaldi Lines” dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë. Në operacionin e shpëtimit u përfshinë të paktën tre anije të rojës bregdetare dhe një anije e Guardia di Finanza.

E derisa dy ministritë e jashtme të Greqisë dhe Italisë të gjejnë një zgjidhje diplomatike, ka qenë ministri grek i marinës tregtare Janis Plaqiotaqis i cili ka urdhëruar që anija të ankorohet në një vend të sigurt, t’i hiqen karburantet dhe të përfundojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur. Autoritetet greke thanë se “Euro Ferry Olimpia” do të ankorohet në Kasiopi.

Kujtojmë se një rast i ngjashëm ndodhi në vitin 2014, ku 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.

Lista me emrat e të zhdukurve në anijen e djegur

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA