Ajax mori një fitore me shumë vuajtje ndaj Willem II. Kryeqytetasit triumfuan me rezultatin minimal 0-1 në Tilburg falë një goli të realizuar pas 80 minutash lojë nga Timber. Mbrojtësi përfitoi maksimalisht nga shërbimi perfekt i Anthony, duke e çuar topin në fundin e rrjetës, për të thyer për të parën herë portierin Wellereuther.
Një paraqitje mbresëlënëse nga ekipi i Fred Grim, ku pavarësisht se dolën pa pikë nga takimi i javës së 23-të, treguan karakter dhe grintë të jashtëzakonshme, duke befasuar edhe me zbritjet e shpeshta përpara.
Megjithatë përtej mundit, kampionët në fuqi arritën të marrin fitoren e 10-të radhazi dhe të arkëtojnë 3 pikët e çmuara, që e mbajnë në kreun e klasifikimit me 57 pikë të grumbulluara duke ruajtur distancën me ndjekësit e PSV Eindhoven dhe Feyenoord. Një tjetër dëshmi për kualitetin e skuadrës kryeqytetase, që edhe kur nuk është në ditën e saj më të mirë di si të marrë rezultatin e kërkuar.
Ndërkohë, Willem II zhytet akoma edhe më thellë në krizë, teksa regjistron disfatën e 12-të në 13 takimet e fundit e duke iu afruar akoma dhe më shumë zonës së ftohtë të renditjes.
Top Channel