Vritet polici në Prishtinë! U qëllua aksidentalisht nga kolegu i tij gjatë një feste

19/02/2022 15:30

Të premten në mesnatë, një polic është vrarë në Zllatar të Prishtinës.

Lirim Haxholli, sipas Policisë së Kosovës u vra aksidentalisht nga një kolegë i tij gjatë një feste ku po merrnin pjesë.

Ai u dërgua për tretman mjekësor, por në QKUK, mjekët konstatuan vdekjen.

I dyshuari për vrasjen e 25 vjeçarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje nën dyshimin e veprës penale të vrasjes.

Në festë merrnin pjesë 15 policë dhe sipas autoriteteve të sigurisë të gjithë ishin jashtë detyrës zyrtare.

Nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i mjetit të rrezikshëm apo armës Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë zyrtar policor dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë e janë suspenduar nga detyra. IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e 9 të tjerëve.

Ekspertët e forenzikës gjatë së shtunës përfunduan këqyrjen e vendit të ngjarjes derisa vila mbahej nën vëzhgim të zyrtarëve policor.

Me ligjin e Policisë së Kosovës edhe jashtë detyrës zyrtarëve, policëve u lejohet mbajtja e armës, në rast se nuk e marrin me vete duhet ta lënë në vend të sigurt, meqë 24 orë është në përgjegjësinë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA