Trageti italian ndodhet mes Dhërmiut dhe Himarës, anijet shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e flakëve

18/02/2022 13:44

Flakët që përfshinë në orët e para të mëngjesit të sotëm tragetin italian që po udhëtonte në detin Jon, mes portit grek të Igumenicës dhe Brindësit, ende nuk janë shuar. Aktualisht trageti ndodhet në afërsi të Gjipesë, mes Dhërmiut dhe Himares, ndërsa mësohet se dy anije po i hedhin ujë për shuarjen e flakëve. Më herët, ishte vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ai që lajmëroi se dy anije të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.

Incidenti u regjistrua në brigjet veriore të Korfuzit, mes Greqisë dhe Shqipërisë, 15 kilometra nga bregu. Në bordin e anijes po udhëtonin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.

Referuar informacioneve paraprake zjarri nisi rreth orës 04:30 të mëngjesit, kur trageti ndodhej në veri të ishullit grekt të Korfuzit, rreth 9 milje larg nga bregu. Nga të njëjtat informacione, duket se zjarri ka filluar nga garazhi i anijës, ku ndodheshin kamionët.

Sipas informacioneve të publikuara deri më tani nga policia vendase, “kapiteni i Euroferry Olympia u ka kërkuar pasagjerëve të largohen nga anija”.

Raportime të ndryshme theksojnë se trageti është evakuuar plotësisht dhe për momentin nuk raportohet për të plagosur.

Kurse mediat greke, theksojnë se personat që ndodheshin në traget janë larguar përmes varkave të shpëtimit.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Në vendngjarje u dërguan tre varka patrullimi dhe tre rimorkiatorë të rojes bregdetare greke.

Operacionet e shpëtimit vazhdojnë.

Roja bregdetare greke po koordinon operacionet e shpëtimit, ndërsa roja bregdetare italiane ka siguruar avionë mbështetës dhe mjete detare.

Top Channel