Shpërndanin kanabis në qytetin e Gramshit, arrestohen tre persona (Detajet e operacionit)

18/02/2022 11:27

Tre persona janë vënë në pranga në kuadër të operacionit policor ‘Gramsh 2022’, ndërsa janë sekuestruar qindra doza me lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia arrestoi shtetasit: A. B., 38 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë;

K. T., 33 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;

I. R., 59 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Moskallëzimi i krimit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit I. R., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike që i përkisnin shtetasit A. B., i cili në bashkëpunim me shtetasin K. T., i shpërndante kundrejt fitimit, në qytetin e Gramshit.

Gjithashtu, në momentin e ndalimit, shtetasit I. R. i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular që e përdorte për baste sportive online.

Po në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti qindra doza me lëndë narkotike dhe qese farmaceutike për paketimin e tyre, ndërsa në banesën e shtetasit K. T. gjeti një sasi fishekësh për armë zjarri dhe për armë gjahu.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej disa kohësh ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes/shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, me përdorues të ndryshëm, në qytetin e Gramshit”, njofton policia.

Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Top Channel