“Një shtëllungë e madhe tymi po afrohet drejt brigjeve shqiptare”, Rrymat detare largojnë nga ujërat greke tragetin italian

18/02/2022 15:31

Qindra pasagjerë arritën të shpëtonin në tragetin italian që po udhëtonte në detin Jon, mes portit grek të Igumenicës dhe Brindësit, ndërsa u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit. Mësohet se rrymat detare, po e shtyjnë vazhdimisht drejt brigjeve tona. Aktualisht trageti ndodhet vetëm disa milje larg bregut shqiptar, mes  Dhërmiut dhe Himarës. Mësohet se dy anije të Forcave Detare shqiptare iu bashkuan përpjekjeve për shuarjen e flakëve.

Pamjet e transmertuara nga mediat greke treguan mjetin 183 metra të gjatë të pushtuar nga zjarri dhe shtëllungat e mëdha të tymit, ndërsa në altoparlantët buçisnin thirrjet për ndihmë.

Roja bregdetare greke sqaruan se në bordin e Euroferry Olympia me flamur Italian kishte  239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Shumica e tyre u arrit të kalonin në varkat e shpëtimit dhe të transferoheshin në portin e Korfuzit. Aktualisht nuk ka raporte për vdekje apo lëndime. Një person më probleme në frymëmarrje nga tymi u dërgua në spital.

Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.

Kur ra zjarri, anija ishte në ujërat greke, por rrymat detare e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare, duke bërë që tashmë të gjendet vetëm pak milje nga brigjet tona.

Flakët shpërthyen pikërisht kur trageti ishte në afërsi të ishullit të Korfuzit në detin Jon.

Trageti është pjesë e flotës së grupit Grimaldi Lines dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.

Në operacionin e shpëtimit u përfshinë të paktën tre anije të rojës bregdetare dhe një anije e Guardia di Finanza italiane.

Në vitin 2014, 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.

Top Channel