Merr flakë fabrika e peshkut/ Lezhë, lëndohet një punonjës i zjarrfikëses në luftë me flakët

18/02/2022 15:05

Një fabrikë e përpunimit të peshkut në Lezhë është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë një shkëndijë elektrike. Zjarri ka rënë në momentin që ende nuk kishte filluar puna dhe fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar.

Flakët kanë djegur pjesën më të madhe të fabrikës ku kanë qenë plot me materiale ambalazhimi kryesisht plastike çka kanë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës kanë shkuar forca dhe nga Tirana, Shkodra, Kurbini e Mirdita.

Gjatë përpjekjes për të shuar flakët është asfiksuar një punonjës i zjarrfikëses dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku tha se zjarri është izoluar tashmë edhe pse është djegur një pjesë e konsiderueshme e saj.

Ndërkohë si pasojë e flakëve të mëdha  tymi i dendur mbuloi gjithë qytetin ku u bllokua për rreth një orë lëvizja në rrugën Lezhë-Laç, ndërkohë është devijuar trafiku në qytet dhe në rrugë dytësore.

Top Channel