Ish industritë e monizmit, pas rënies së sistemit u braktisën dhe u lanë në harresë së bashku me lëndën e parë. Si pasojë trashëguam nga ai sistem miliona tonelata mbetje të rrezikshme, të cilat ende nuk janë pastruar.
Referuar të dhënave të strategjisë së menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme të miratuar në vitin 2020, bëhet fjalë për një total prej 241.270 kg mbetje të rrezikshme vetëm nga magazinat e laboratorëve të ndërmarrjeve ekonomike. Më konkretisht në magazinat e ndërmarrjes për furnizimin e minierave që gjendet në Balëz janë të depozituara rreth 15 mijë kg cianure e kimikate të tjera.
Në ish kombinatin energjitik ndodhen 300 kg kimikate për përdorim në laborator, në rrënojat e kompleksit të Laçit gjenden 60 kg kimikate, në laboratorin e impiantit të bakrit në Rubik gjenden 70 kg kimikate. Tek azotiku në Fier gjenden 93,300 kg acid formik, vanadium pentokside, karbonat kaliumi, ndërsa në magazinat e degës rajonale Tropojë gjenden 18.300 kg kimikate. Laboratori gjeologjik qendror ka të magazinuara 5,000 kg kimikate, në degën rajonale Rubik gjenden 280 kg kimikate, ndërsa në atë të Pukës 230 kg kimikate. Të gjitha mjaft toksike dhe që kanë mbetur pa përdorur për shkak të ndërprejes së proceseve prodhuese.
“Shpeshherë ato braktisen, lihen diku, nuk ka një landfill për mbetjet e rrezikshme që ti grumbullonte, që të mos përziheshin me mbetjet urbane, është një e metë. Ka qenë planifikuar në 2005 por nuk është ndërtuar” u shpreh Besnik Bare, kimist.
Përvec këtyre sasive të konsiderueshme mbetjesh kimike nga loboratorët, janë inventarizuar edhe qindra tonelata të tjera mbetje të rrezikshme që përdoreshin si lëndë e parë në industritë e komunizmit. Në një pjesë është ndërhyrë midis viteve 2004-2012 me mbështetjen e donacioneve të huaja, por një pjesë tjetër janë ende në mëshirë të fatit.
Referuar strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme aktualisht Shqipëria ka 18 hot spote, të cilat kanë nevojë urgjente për ndërhyrje. Në krye të listës renditet kompleksi i shkrirjes së metaleve Elbasan i cili përllogaritet të ketë 1.5–2 milionë ton mbetje, më pas vjen miniera e bakrit Rrëshen, zona e minierës së bakrit Fushë-Arrëz, depozitat e ferronikelit Pogradec, në Gurin të Kuq dhe në Bitinskë.
Po ashtu hot spote konsiderohen zonat e minierave të bakrit në Rehovë, Kalimash, Gjegjan dhe nxjerrja e naftës në Ballsh, Kuçovë, Patos-Marinzë ku shkarkohen rreth 20,000 tonë naftë në mjedisin përreth.
Top Channel