Pas marrëveshjes mes dy qeverive, Shqipëria nis lëshimin e lejeve të qëndrimit për shqiptarët e Kosovës

17/02/2022 10:04

Pas marrëveshjes mes dy qeverive, Shqipëria ka nisur tashmë me lëshimin e Lejeve të Qëndrimit Biometrike për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në vendin tonë.

Dy kartat e para iu dorëzuan Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë. Lejeqëndrimi 5 vjeçar aplikohet për herë të parë në Shqipëri në bazë të ligjit që është bërë për të lehtësuar këtë proces edhe në bazë të marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë e Kosovës. Edhe qeveria e Kosovës ka filluar të aplikojë të njëjtin regjim sa i përket dhënies së lejeqëndrimit për shqiptarët në Kosovë.

Aplikimi për këtë kartë biometrike bëhet online me plotësimin e formularit, deklarohet adresa ku qëndron dhe një fotokopje e dokumentit të origjinës, pra pasaportës apo mjetit të identifikimit që kanë në Kosovë.

Lejet e Qëndrimit biometrike janë gjithashtu edhe Leje Pune pa qenë nevoja që shqiptarët e Kosovës të marrin një dokument të dytë. Ministri Çuçi solli rastin e Arita Berishës, vajzës nga Kosova e cila në përfundim të studimeve është punësuar në Tiranë në një kompani IT. Te dokumenti biometrik që ajo sapo kishte marrë është gjithashtu e përfshirë edhe leja e punës.

Më parë Shqipëria lëshonte leje qëndrimi në format A4 pa elementë sigurie dhe që duhej rinovuar çdo vit.

“Sot janë lehtësuar tërësisht procedurat për Leje Qëndrimi, me aplikim online dhe pa dokumente. Dëshmitar për këtë është vetë Kushtrimi që ka hequr kalvarin e shkuarjes nga njëra zyrë në tjetrën çdo një vit për të rinovuar Lejen e Qëndrimit”, tha ministri Çuçi duke iu referuar rastit të Kushtrim Reshitit, të riut nga Kosova i cili ka qenë student në Tiranë dhe në përfundim të studimeve ka nisur të punojë këtu. Lëshimi i Lejeve të Qëndrimit biometrike për shqiptarët e Shqipërisë ka nisur edhe në Kosovës. Të dy qeveritë nënshkruan marrëveshjen në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit që u mbajt në Elbasan.

Top Channel