Arrestohen 2 persona në Gjirokastër, u kapën duke ushtruar aktivitetin e lojërave të fatit në një bar kafe

17/02/2022 12:30

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës pasi akuzohen për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Personat që u arrestuan janë identifikuar si: M. Z., 29 vjeç, banues në Gjirokastër (administrator i një subjekti bar-kafe) dhe B. H., 55 vjeç, banues në Gjirokastër (klient i subjektit). Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi S. T., 53 vjeç, banues në Gjirokastër (pronar i subjektit bar-kafe).

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtrua kontroll në ambientet e subjektit bar-kafe, në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, të cilin administratori e kishte vënë në dispozicion për ushtrimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare, në të cilët janë gjetur programe/faqe për organizimin e basteve sportive online.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Top Channel