Shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, policia arreston dy persona në Tiranë. Pritet ekstradimi drejt Italisë dhe Zvicrës

16/02/2022 12:11

Policia e Tiranës arrestoi dy persona të shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

Ata u arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “Seven”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, Fast Albania, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana.

Në një njoftim për mediat, policia tha se në pranga ranë Bledar Bedini (Imami), 51 vjeç, banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Apelit Milano e ka dënuar me 7 vjet burg, për veprën penale “Trafik narkotikësh”.

Alessandro Amorosi, 34 vjeç, banues në Itali. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Solothurn, Zvicër, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi drogat”, parashikuar nga Kodi Penal i Zvicrës.

Mësohet se Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane dhe zvicerane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.

Top Channel