Rusia largon ushtarët nga Krimeja, Ukraina goditet nga sulmi kibernetik

16/02/2022 14:55

Një ditë pasi njoftoi tërheqje trupash në kufirin me Ukrainën, Rusia pohoi se kanë përfunduar gjithashtu stërvitjet ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska dhe ushtarët po kthehen në garnizonet e tyre.

Televizioni shtetëror rus transmetoi pamje të ushtarëve, të cilët kalonin një urë që lidh gadishullin e kontrolluar nga Rusia.

Të gjitha këto lëvizje vijnë në kohën kur liderët perëndimorë vazhdojnë të mbeten të shqetësuar se Moska sërish mund ta nisë sulmin mbi vendin fqinj. Si për të përforcuar frikën e tyre, faqet e webit të forcave te armatosura ukrainase dhe disa ministrive e bankave në vend, kanë rënë pre e sulmeve kibernetike.

Llogaritë e ministrisë së mbrojtjes  në Facebook dhe Twitter do të përdoren tani si kanale zyrtare komunikimi deri sa faqja të rikthehet në funksion. Qendra për Komunikim dhe Siguri të Informacionit e Ministrisë së Kulturës nuk i tregoi hapur dyshimet se mbi kë rëndon përgjegjësia e ofensivës kibernetike, por në deklaratën e lëshuar la të kuptohet se dyshimet kryesore bien pikërisht mbi Moskën.

Top Channel