Reforma Zgjedhore/ Balla: Vota e emigrantëve, depolitizimi i administratës dhe lufta ndaj korrupsionit zgjedhor janë domosdoshmëri për procesin

16/02/2022 14:41

Mazhoranca socialiste mendon se depolitizimi i komisioneve zgjedhore, vota e emigrantëve dhe lufta ndaj korrupsionit zgjedhor janë tre elementët më të domosdoshëm të reformës zgjedhore.

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Shqipëria ka nevojë për një reformë të plotë zgjedhore që do adresonte të gjitha rekomandimet e raportit të OSBE/ODHIR-it.

Në fjalën e tij, mbajtur në Konferencën Kombëtare me temë: “Nevoja për një reformë elektorale të plotë”, Balla theksoi rëndësinë e tre elementëve të cilat duhet të jenë sipas tij domosdoshmërisht pjesë e kësaj reforme të ardhshme elektorale.

Elementi i parë është depolitizimi i komisioneve zgjedhore, që sipas tij vazhdon të na rendisë si rastin unik në botë. Ai theksoi se depolitizimi është një hap i kërkuar tradicionalisht dhe para çdo reforme zgjedhore nga partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të posaçme nga ekspertët e ODHIR-it. Balla theksoi se me reformën e fundit, politia shqiptare dështoi t’i adresonte këto rekomandime.

Elementi i dytë është vota e emigrantëve shqiptarë dhe që sipas tij është një prej objektivave strategjikë të Partisë Socialiste dhe që lidhet me mjedisin dhe me kornizën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Ai u tregua i kujdesshëm të theksojë se ky është një proces gjithpërfshirës dhe se vullneti i vetëm i Partisë Socialiste nuk është i mjaftueshëm.

Elementi i tretë është korrupsioni zgjedhor, sipas tij, krahasuar me të shkuarën është tkurrur ndjeshëm, por gjithsesi mbetet një shqetësim.

Kreu i grupit socialist theksoi se rregullat e forta, të vendosura në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme dhanë një bazë të fortë, për të pasur një proces zgjedhor edhe më të mirë.

Po kështu me rëndësi është edhe transformimi strukturor i organizimit të shtetit në nivelin e dytë i cili ka shënuar një hap kolosal në luftën kundër korrupsionit dhe ka sjellë një ulje drastike të këtij fenomeni, që në nivelin e dytë të qeverisjes për hir të së vërtetës ka qenë shumë i përhapur. Në kushte e reja të mundësuara nga reforma zgjedhore është pak por e sigurt se kemi një bazë shumë më të shëndetshme dhe shumë më të favorshme për të zhvilluar zgjedhje me një cilësi më të lartë”, tha ai.

Për të, Komisioni i Posaçëm Parlamentar i reformës zgjedhore do të mundësojë reflektimin e të gjithë rekomandimeve të lëna nga OSBE/ODIHR për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të ardhshme me standarde më të larta se ato pararendëset.

Edhe pse këtu do të rishpreh pikëpamjen time të kahershme, që kur ka konsensus jo domosdoshmërisht është arritur më e mira e mundshme”, tha Balla.

Mazhoranca socialiste dhe Partia Demokratike me datë 10 shkurt në Kuvendin e Shqipërisë arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për miratimin e një Komisioni të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Kujtojmë se në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi një kërkesë që kërkonte ngritjen e një komisioni të posaçëm për Reformën Zgjedhore.  Në kërkesën e firmosur nga 10 deputetë thuhet se Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit dhe zgjedhjeve të mëparshme të pa trajtuara.

Gjithashtu, në kërkesë thuhet se Partia Demokratike ka konstatuar 5 shkelje të rënda që minuan procesin demokratik të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit që kishin të bënin me shitblerjen e vote, përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale si dhe ndryshime të njëanshëm në kushtetutë dhe kodin zgjedhor që sollën heqjen e koalicioneve.

Partia Demokratike e ka kontestuar publikisht procesin zgjedhor të zhvilluar më 25 Prill 2021, duke e cilësuar si “masakër zgjedhore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA