“Nënvarianti BA.2 i Omicron përbën shumicën e rasteve të COVID-19 në dhjetë vende”

16/02/2022 09:43

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se BA.2 një nga nënvariantet e Omicron të COVID-19 aktualisht është bërë dominues në 10 vende dhe përbën shumicën e rasteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin javor të përditësimit të COVID-19 që publikohet në faqen e internetit të organizatës, u shqyrtua situata e fundit lidhur me rastet globale të COVID-19, Omicron dhe nënvariantet e tij.

Sipas raportit, për periudhën 7-13 shkurt ka pasur një rënie prej 19 për qind në shkallën globale të rritjes së rasteve të COVID-19 në krahasim me një javë më parë ndërsa norma e humbjes së jetëve nuk ka treguar ndryshim në krahasim me një javë më parë.

Në javën e fundit në të gjithë botën janë regjistruar rreth 16 milionë raste me COVID-19 dhe si pasojë e virusit kanë humbur jetën rreth 75 mijë persona.

Rënia më e madhe në raste është vërejtur në Azinë Juglindore dhe në këtë rajon norma e rritjes në javën e fundit është përcaktuar si 37 për qind më pak në krahasim me një javë më parë.

Në të njëjtën periudhë është shënuar 32 për qind rënie në Amerikën Jugore dhe atë Veriore, në Afrikë 30 për qind, në Evropë 16 për qind dhe në rajonin e Mesdheut Lindor 12 për qind.

– BA.2 është përhapur më shumë në Azinë Juglindore

Në raport është vërejtur se BA.2 një nga nënvariantet e Omicron, është duke shënuar rritje në rastet globale të COVID-19.

Sipas mostrave të rasteve që janë dorëzuar në Iniciativën Globale për Ndarjen e të Dhënave të Influencës (GISAID) e cila është e lidhur me OBSH, varianti BA.2 përbën më shumë se gjysmën e rasteve me Omicron në Bangladesh, Brunei, Kinë, Danimarkë, Guam, Indi, Malin e Zi, Nepal, Pakistan dhe Filipine.

Është ndarë informacioni se BA.2 më shumë është përhapur në Azinë Juglindore duke përbërë 44.7 për qind të rasteve me Omicron ndërsa në Amerikën Jugore dhe atë Veriore norma e përhapjes së BA.2 është në 1 për qind.

Në raport thuhet se ka të dhëna të kufizuara që BA.2 përhapet më shpejt në krahasim me Omicron dhe se nuk dihet ende se në çfarë mase ndikon në trupin e njeriut nënvarianti BA.2./AA/

Top Channel