NATO-ja thotë se nuk ka parë shenja tërheqjeje nga ana e Rusisë, megjithë këmbënguljen e Moskës se nuk ka plane të sulmojë Ukrainën. Ndërkohë BE-ja paralajmëron për pasojat që do të kishte një agresion rus jo vetëm ndaj Ukrainës por edhe për vendet evropiane. Aleancat perëndimore vazhdojnë ta paralajmërojë Rusinë për pasoja të rënda nëse sulmon Ukrainën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës të mërkurën se nuk ka parë shenja tërheqjeje nga Rusia.

“Deri tani nuk kemi parë ndonjë ulje përshkallëzimi në terren. Përkundrazi, duket se Rusia vazhdon përqendrimin ushtarak.”

Zoti Stoltenberg tha se NATO-ja vazhdon të përballet me një “sfidë kritike”.

“Ne do të vazhdojmë të ekspozojmë planet dhe veprimet e Rusisë për t’ia bërë më të vështirë ndërmarrjen e veprimeve agresive kundër Ukrainës”, tha ai.

Zoti Stoltenberg përsëriti gjithashtu se nuk i takon Rusisë të vendosë se cilat vende do të bëhen anëtare të NATO-s.

“Kemi të bëjmë me respektimin e së drejtës së çdo vendi në Evropë të zgjedhë vetë nëse do t’i përkasë një organizate si NATO ose jo”, tha ai.

Rusia tha të mërkurën se po kthente më shumë trupa dhe armë në baza, megjithëse nuk ka pasur shenja konkrete për një tërheqje të konsiderueshme të forcave.

Duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg të Francës, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i bëri thirrje Rusisë të tregojë me veprime konkrete se po zbut tensionet në terren.

“Nëse do të ketë agresion ushtarak kundër Ukrainës, kostoja për Rusinë duhet të jetë e rëndë. Pasojat duhet të jenë masive. Por duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin: Edhe pasojat për ne evropianët do të jenë të rënda dhe nëse kjo ndodh, duhet të jemi gati të përballemi me atë përgjegjësi.”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ideja e sferave të ndikimit është një fantazmë e shekullit të kaluar dhe se kriza aktuale “nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën”.

“Ka të bëjë gjithashtu me konceptin e sovranitetit, pavarësisë dhe lirisë së një vendi në shekullin e 21të. Ka të bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë nga frika dhe me të drejtën e çdo vendi për të përcaktuar të ardhmen e vet. Dhe ky është mesazhi që BE-ja duhet t’i dërgojë Kremlinit”, tha ajo.

Ndërkohë Rusia vazhdoi të këmbëngulë se nuk ka plane të sulmojë Ukrainën dhe Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Moska është “e habitur” nga frika e Perëndimit.

“Perëndimi mendon se ka të drejtën të na diktojë se si duhet të sillemi, çfarë të bëjmë në territorin tonë. Kjo tregon një mungesë themelore njohjeje,” u tha zoti Lavrov gazetarëve gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij brazilian Carlos Alberto França.

Ai tha se qeveria dhe parlamenti rus nuk do të “qëndrojnë indiferentë” ndaj veprimeve të Perëndimit.

Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në lindje, veri dhe jug të Ukrainës, duke shkaktuar frikë për një sulm të mundshëm rus.voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA