Ditën e sotme është hapur ura e re e Tapizës në Krujë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku bëri me dije se ndërtimi i urës është pjesë e projektit që kanë nisur me Bankën Botërore.

“Jemi duke shkelur mbi urën e re të Tapizës, të cilën e kemi nisur më 2 mars të vitit të kaluar dhe kishte kontratë 12 mujore, deri më 2 mars 2022 por po e dorëzojmë para afatit. Kjo urë është pjesë e projektit të parë me 9 ura që kemi nisur me Bankën Botërore. Kemi nisur një skanim të urave në Republikën e Shqipërisë. Për shkak të amortizimit dhe tërmeteve, na është dashur që skanimin ta përshpejtojmë dhe kemi marrë të dhënat e projektit duke klasifikuar 9 urat e para më me rrezik dhe kemi nisur me urën e Tapizës. I gjithë projekti parashikon të ketë një paketë prej 100 milionë euro”, tha Balluku.

Ura është 120 metra e gjatë, është lartësi 15 metra nga shtrati i lumit.

Kujtojmë se Ura e vjetër e Tapizës, e cila ishte ndërtuar në vitin 1973 mbi lumin Tërkuz, në bazë të analizave nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës renditej si ura e parë me rrezikshmëri të lartë në vend. Pas tërmetit të shtatorit,  mori një goditje tjetër me tërmetin e 26 nëntorit të 2019-tës.

Ura e Tapizës lidh gjithë veriun e vendit dhe jo vetëm, por edhe Kosovën, Maqedoninë dhe rajonin me Europën.

Top Channel